Moti i keq shkakton rënie gurësh në aksin Kukës–Bushtricë, vështirësohet qarkullimi

Data

Reshjet e shiut me intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here me erë, kanë përfshirë gjatë natës të gjithë qarkun e Kukësit, duke sjellë problematika në disa segmente rrugore. Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes, për t’u ndërprerë gradualisht.

Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse janë regjistruar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, veçanërisht në zonat me terren të thyer. Situata më problematike është shënuar në aksin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës janë evidentuar rënie gurësh dhe masash dherash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.

Pas sinjalizimeve, subjektet kontraktore të mirëmbajtjes rrugore kanë ndërhyrë menjëherë në terren me mjete dhe forca pune për pastrimin e rrugës. Aktualisht, aksi Kukës–Bushtricë, që lidh Kukësin me Peshkopinë, është i qarkullueshëm normalisht, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në orët në vijim.

Sipas strukturave vendore, në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë publike, si dhe nuk ka pasur situata emergjente që të kërkojnë ndërhyrje shtesë. Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht në të gjithë qarkun.

Autoritetet lokale dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën, ndërsa qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në akset malore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related