Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur në Brazil, ku një autobus është përplasur ballë për ballë me një kamion, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 11 personave dhe plagosjen e 7 të tjerëve.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:30 të paradites, sipas orës lokale, në një autostradë federale në shtetin jugor Rio Grande do Sul.
Sipas policisë, përplasja ka qenë shumë e fortë dhe një pjesë e madhe e ngarkesës së rërës që transportonte kamioni ka përfunduar brenda autobusit. Kjo situatë e ka bërë shumë të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, pasi disa nga viktimat ishin mbuluar nga rëra.
Shërbimet e emergjencës kanë punuar për disa orë për nxjerrjen e të plagosurve dhe trupave të pajetë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Ende nuk ka informacione zyrtare mbi identitetin e viktimave.
