Alarm në Këshillin e Europës për lirinë e medias në Shqipëri, Vokshi: Mediat kritike po mbyllen

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ngritur alarmin për përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri gjatë një dëgjese të zhvilluar në Komisionin e Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku u diskutua situata e mediave në vend.

Gjatë fjalës së saj, Vokshi theksoi se në Shqipëri po instalohet një model i rrezikshëm presioni ndaj mediave kritike ndaj qeverisë, duke përmendur konkretisht ndërprerjen e sinjalit dhe bllokimin e aktivitetit të “Focus Media Group”, ku bëjnë pjesë News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Sipas saj, mbyllja ose paralizimi i mediave kritike është kthyer në praktikë të përsëritur, ndërsa gazetarëve u mohohet ushtrimi i profesionit të tyre.

“Nëse linja editoriale e një media është kritike me qeverinë, ajo media mbyllet. Kjo ka ndodhur me tre televizione në vitet e fundit”, deklaroi Vokshi.

Ajo u ndal veçanërisht te ngjarjet e gushtit, kur sipas saj forcat e policisë rrethuan selinë e Focus Media Group, ndërprenë energjinë elektrike dhe ndaluan hyrjen e rreth 200 gazetarëve në ambientet e punës.

“Forca të armatosura sekuestruan kompjuterë dhe materiale investigative, duke vënë në rrezik serioz gazetarët dhe burimet e tyre”, theksoi deputetja demokrate.

Vokshi shtoi se këto veprime janë në kundërshtim të hapur me standardet evropiane dhe janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare. Ajo citoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili sipas saj ka konstatuar përparim të kufizuar të Shqipërisë në fushën e lirisë së medias dhe moszbatim të rekomandimeve kryesore.

Sipas Vokshit, raportet e OSBE/ODIHR-it, Komisionit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare të medias flasin për përqendrim të pronësisë, financime të paqarta, ndërhyrje politike në autonominë editoriale, autocensurë dhe presion ndaj gazetarëve.

Ajo theksoi se këto zhvillime minojnë pluralizmin e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në mënyrë të pavarur, veçanërisht në periudha zgjedhore.

Në përfundim, Vokshi i bëri thirrje Komitetit të Monitorimit të Këshillit të Europës që të mbajë nën vëzhgim të rreptë situatën e medias në Shqipëri dhe të kërkojë zbatimin e plotë të rekomandimeve të ODIHR-it, Komisionit të Venecias, Komisionit Evropian dhe Këshillit të Europës.

“Liria e medias nuk është opsionale. Ajo është themeli i çdo demokracie funksionale”, përfundoi Vokshi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related