Pentagoni mohon reduktimin e trupave amerikane në Kosovë

Data

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë raportimet për një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në Kosovë.

Një zyrtar i Pentagonit i tha Radios Evropa e Lirë se “sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, duke sqaruar se aktualisht nuk ekziston asnjë vendim për ndryshim të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Reagimi vjen pas një raportimi të medias Politico, e cila – duke cituar diplomatë të NATO-s – pretendonte se Uashingtoni po shtyn për reduktimin e angazhimeve të aleancës jashtë territorit të saj, përfshirë Kosovën.

Një zyrtar i NATO-s theksoi se SHBA-ja ka rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Aktualisht, rreth 590–600 trupa amerikane shërbejnë në Kosovë brenda KFOR-it dhe drejtojnë Komandën Rajonale Lindje, duke kryer patrullime të rregullta, ushtrime dhe angazhime me komunitetet lokale.

KFOR-i numëron në total 4.767 trupa nga 33 vende, ndërsa debati për praninë ushtarake amerikane në Evropë është intensifikuar muajt e fundit, në kuadër të një rishikimi më të gjerë të angazhimeve globale të SHBA-së.

Megjithatë, sipas deklaratës së fundit zyrtare, nuk ka asnjë ndryshim të menjëhershëm në praninë amerikane në Kosovë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related