Inteligjenca estoneze paralajmëron: Rusia po rindërton me ritme të shpejta fuqinë ushtarake

Data

Rusia nuk pritet të nisë një sulm ushtarak kundër ndonjë vendi të NATO gjatë këtij apo vitit të ardhshëm, por po rindërton me shpejtësi kapacitetet e saj ushtarake. Kështu thuhet në raportin vjetor të shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, një nga burimet më të vlerësuara për analizën e forcave ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Sipas drejtorit të shërbimit, Kaupo Rosin, vendet evropiane duhet të rrisin investimet në mbrojtje dhe siguri të brendshme, në mënyrë që Moska të arrijë në përfundimin se një përballje me NATO-n nuk do të kishte asnjë shans suksesi.

Raporti vëren se udhëheqja ruse është e shqetësuar nga përshpejtimi i riarmatimit në Evropë dhe nga mundësia që vendet evropiane të fitojnë kapacitete për veprime të pavarura ushtarake kundër Rusisë brenda dy deri në tre vjetësh. Sipas inteligjencës estoneze, Moska po përpiqet ta frenojë këtë zhvillim.

Një tjetër element kyç i raportit është zgjerimi i prodhimit rus të municioneve. Vlerësimet tregojnë se industria ushtarake ruse po punon me ritme të larta, duke krijuar rezerva të konsiderueshme për konflikte të ardhshme, edhe pse lufta në Ukrainë vijon.

Në një skenar ekstrem që do të përfshinte Estoninë, raporti parashikon përdorim të koordinuar të dronëve në tokë, ajër dhe det, në një operacion të gjerë dhe të sinkronizuar.

Inteligjenca estoneze thekson se Kremlini vazhdon ta konsiderojë Shtetet e Bashkuara si kundërshtarin kryesor global, ndërsa njëkohësisht përpiqet të shfaqë gatishmëri për bashkëpunim me Uashingtonin, me synimin për të zbutur sanksionet dhe për të konsoliduar pozicionin e tij në konfliktin me Ukrainën. Megjithatë, raporti përfundon se objektivat strategjike afatgjata të Rusisë mbeten të pandryshuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related