Aktori i humorit Albano Bogdo ka shpërthyer me akuza të forta ndaj klasës politike dhe komunitetit artistik në Shqipëri, duke e cilësuar situatën aktuale të vendit si pasojë të gënjeshtrës, frikës dhe konformizmit.
I ftuar në një emision televiziv, Bogdo u shpreh se artistët në Shqipëri kanë humbur rolin e tyre kritik dhe janë kthyer në një grup të heshtur, të ndikuar nga interesat dhe presioni i mediave dhe pushtetit.
“Artistët janë një m*t i madh në Shqipëri. Të gjithë gënjejnë dhe të gjithë janë të blerë. Të gjithë ulin kokën nga frika e pronarëve të mediave dhe askush nuk e thotë të vërtetën në sy,” deklaroi ai.
Sipas Bogdos, Shqipëria ndodhet në këtë gjendje jo për mungesë burimesh, por për shkak të keqqeverisjes dhe gënjeshtrës politike ndër vite. Ai theksoi paradoksin e një vendi të pasur në burime natyrore, por që nuk garanton shërbime bazë për qytetarët.
“Jemi ndër vendet me më shumë ujë për frymë, por asnjë familje nuk ka ujë 24 orë. Mund të kishim energji falas nga hidrocentralet, ndërsa sot fatura e dritave është makthi më i madh për familjet shqiptare,” u shpreh aktori.
Bogdo kritikoi edhe pabarazinë e thellë ekonomike mes qytetarëve dhe zyrtarëve të lartë, duke ironizuar luksin e politikanëve përballë pagave minimale të artistëve dhe punonjësve të zakonshëm.
“Asnjë artist nuk del të flasë për pagën minimale, ndërkohë që në pushtet jetojnë në luks ekstrem. Nafta, uji dhe energjia që duhet t’i kishim falas, i paguajmë më shtrenjtë se kushdo tjetër në Europë,” shtoi ai.
Në përfundim, aktori theksoi se përgjegjësia për gjendjen e sotme nuk i përket vetëm një qeverie, por gjithë klasës politike ndër vite, duke kërkuar më shumë guxim, ndershmëri dhe zë kritik nga artistët dhe shoqëria shqiptare.
