Një sulm i rëndë me thikë ka ndodhur brenda një fabrike gomash të rënda në Japoninë qendrore, ku të paktën 14 persona mbetën të plagosur, sipas shërbimeve të emergjencës.
Alarmi u dha pas një telefonate nga një fabrikë fqinje, ku u raportua se disa punonjës ishin therur dhe se gjatë sulmit ishte përdorur edhe një lëng në formë spreji. Autoritetet reaguan menjëherë, duke dërguar forca policore dhe ekipe mjekësore në vendngjarje.
Mediat vendase raportojnë se një burrë është arrestuar si i dyshuar për tentativë vrasjeje. Pas arrestimit, atij iu sekuestrua arma e ftohtë e përdorur gjatë sulmit, ndërsa hetuesit po verifikojnë rrethanat dhe motivet që çuan në ngjarje.
Nga të plagosurit, të paktën gjashtë persona janë transportuar në spital dhe po marrin trajtim mjekësor, ndërsa të tjerët janë ndihmuar në vend. Sipas burimeve zyrtare, gjendja e disa prej tyre është e qëndrueshme.
Ngjarje të tilla janë relativisht të rralla në Japoni, një vend i njohur për shkallë të ulët të krimeve të dhunshme dhe për ligje shumë të rrepta në lidhje me armët. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
