“Rama donte njeriun e marrëveshjeve në krye të SPAK”, Berisha shpërthen: Ndërkombëtarët ndalën kapjen e institucionit

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së PD-së.

Sipas Berishës, Rama ka bërë çdo përpjekje për të vendosur në krye të Prokurorisë së Posaçme një person të afërt me të, me qëllim që të siguronte marrëveshje për dosjet penale që e implikojnë. Ai theksoi se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ishte vendimtare për të penguar, siç u shpreh ai, kapjen e këtij institucioni kyç të drejtësisë.

“Ndërkombëtarët zhvilluan një ofensivë shumë të fortë që qeveria të mos kapte kreun e SPAK. Edi Rama bëri gjithçka për të zgjedhur njeriun me të cilin ishte marrë vesh për dosjen e tij”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve akuzoi gjithashtu drejtuesin aktual të SPAK, Altin Dumani, për mbylljen e disa çështjeve që sipas tij lidhen drejtpërdrejt me kryeministrin. Ai përmendi konkretisht dosjen e inceneratorit të Tiranës, ku, sipas Berishës, përgjegjësia iu faturua ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ndonëse projekti ishte firmosur nga vetë Rama.

“Mbylli dosjen e Ramës për djegësin e Tiranës, mbylli dosjen ‘Al Abbar’, një aferë me përmasa gjigante që lidhet me portin e Durrësit dhe që është një goditje e rëndë për çdo shqiptar. Mbylli edhe dosjen e Olsi Ramës”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, Rama nuk do të ndalet në përpjekjet për të kontrolluar SPAK-un dhe paralajmëroi se skenari mund të përsëritet edhe në të ardhmen. “Nuk duhet të kemi iluzione. Problemi nuk është vetëm te zgjedhja e një emri, por te obsesioni i qeverisë për të kapur me çdo kusht Prokurorinë Speciale”, tha ai.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur debati politik për pavarësinë e drejtësisë dhe rolin e SPAK mbetet i nxehtë, ndërsa opozita paralajmëron përshkallëzim të aksionit politik kundër qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related