Sulmi terrorist në Sydney, Begaj: Shqipëria në krah të Australisë kundër terrorizmit dhe urrejtjes

Data

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas sulmit terrorist të ndodhur në Bondi Beach, Sydney, duke dënuar ashpër aktin e dhunshëm dhe duke shprehur solidaritet të plotë me Australinë.

Kreu i Shtetit i ka përcjellë ngushëllimet e tij familjeve të viktimave të pafajshme, si edhe urimet për shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Ai theksoi se Shqipëria qëndron krah Australisë në përballjen me terrorizmin dhe çdo formë urrejtjeje.

“Dënoj me forcë sulmin terrorist në Bondi Beach, Australi. Ngushëllime familjeve të viktimave të pafajshme dhe shërim të shpejtë për të plagosurit. Shqipëria është në solidaritet të plotë me Australinë kundër terrorizmit dhe urrejtjes”, u shpreh Presidenti Begaj.

Sipas autoriteteve dhe raportimeve ndërkombëtare, nga sulmi kanë humbur jetën të paktën 12 persona, ndërsa rreth 30 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe një fëmijë dhe dy oficerë policie. Ngjarja është cilësuar si akt terrorist dhe dyshohet se kishte në shënjestër komunitetin hebre gjatë festimeve të Hanukës.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit vijojnë, ndërsa reagimet e solidaritetit dhe dënimit të aktit terrorist kanë ardhur nga mbarë bota.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related