Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke i cilësuar sulmet e tij si shenjë frike dhe paniku pas shkuarjes së hetuesve në Kryeministri.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj u shpreh se Rama është trembur nga veprimet e SPAK-ut dhe për këtë arsye ka zgjedhur të sulmojë publikisht BKH-në, duke tentuar ta diskreditojë dhe ta intimidojë.
Sipas tij, kryeministri jo vetëm i ka sulmuar hetuesit me gjuhë fyese dhe tallëse, por ka kërkuar edhe të ushtrojë presion mbi institucionet e drejtësisë së re. Megjithatë, Shehaj thekson se këto sulme nuk do ta shpëtojnë Ramën nga përballja me drejtësinë.
“Edi Rama është trembur. I ka shkuar SPAK-u në zyrë dhe sot ka shpërthyer në sulme ndaj oficerëve të BKH-së. I ka sharë, i ka fyer, është tallur me ta dhe ka tentuar t’i intimidojë. Por fundi i tij do të jetë si i të gjithë kryeministrave të korruptuar të Evropës Lindore: para drejtësisë”, u shpreh Shehaj.
Ai shtoi se historia ka treguar se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë përmes presioneve politike, sulmeve verbale apo përpjekjeve për delegjitimim të institucioneve hetimore.
“Sulmet, tallja dhe intimidimi ndaj BKH-së nuk e ndalin dot drejtësinë. Kur fillojnë këto reagime nervoze, do të thotë se fundi po afrohet”, përfundoi Shehaj.
Deklaratat e tij vijnë në vijim të përplasjes publike mes kryeministrit Rama dhe BKH-së, pas reagimeve të ndërsjella lidhur me një episod të ndodhur në ambientet e Kryeministrisë, i cili ka hapur një debat të fortë politik mbi respektimin e institucioneve dhe pavarësinë e drejtësisë.
