Situata në Mallakastër paraqitet alarmante si pasojë e rritjes së nivelit të ujërave të lumit Vjosë, i cili po afrohet rrezikshëm pranë autostradës në zonën e Selishtës. Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë shtuar prurjet, duke krijuar rrezik për bllokimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.
Uji ka arritur shumë pranë trupit të rrugës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe duke shtuar rrezikun për drejtuesit e automjeteve. Autoritetet dhe strukturat e emergjencës civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën për të parandaluar përkeqësimin e saj.
Ndërkohë, u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të ulin shpejtësinë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë segment rrugor, deri në stabilizimin e situatës.
