Pas disa ditësh protestash dhe bllokadash në mbarë Greqinë, fermerët i kanë dorëzuar zyrtarisht qeverisë dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis listën me kërkesat e tyre, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat dhe do t’i kalojnë festat në bllokadat rrugore nëse nuk ka përgjigje konkrete.
Fermerët refuzuan ftesën e kryeministrit për dialog në Pallatin Maximos, duke argumentuar se kërkesat e tyre janë të qarta dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, jo takime formale pa rezultate. Ata paralajmërojnë gjithashtu për intensifikim të protestave në ditët në vijim.
Kërkesat kryesore të fermerëve grekë
Në listën e dorëzuar qeverisë, fermerët kërkojnë:
- Vendosjen e çmimeve minimale të garantuara për produktet bujqësore, që të mbulojnë koston e prodhimit dhe të sigurojnë të ardhura të qëndrueshme.
- Ulje drastike të kostos së prodhimit, përmes:
- Naftë bujqësore pa taksa
- Energji elektrike për bujqësinë me çmim maksimal 7 cent/kWh
- Shfuqizim të bursës së energjisë
- Subvencione për inputet bujqësore
- Heqje të TVSH-së për produktet dhe shërbimet bujqësore
- Pagesë të menjëhershme të të gjitha detyrimeve financiare që shteti u ka fermerëve.
- Kompensim për humbjen e të ardhurave në vitin 2025 për produktet që shiten nën koston e prodhimit.
- Ndryshim të rregullores së ELGA-s, me sigurim dhe kompensim 100% për dëmet nga fatkeqësitë natyrore dhe sëmundjet.
- Projekte infrastrukturore bujqësore, përfshirë ujitjen, mbrojtjen nga përmbytjet dhe zjarret, si dhe ndërtimin e rrugëve bujqësore.
- Lidhjen e subvencioneve me prodhimin real bujqësor dhe blegtoral.
- Shfuqizimin e ATAK–KAEK për tokat nën 20 dynymë dhe zhbllokimin e menjëhershëm të të gjitha AFM-ve të bllokuara.
- Ndalimin e importeve masive dhe të ashtuquajturit “grekizim” të produkteve të huaja.
- Ngrirje të borxheve ndaj shtetit dhe bankave, me shlyerje pa interes.
- Mosulje të fondeve të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP).
- Shfuqizimin e fletës elektronike të transportit nga ara.
- Dyfishim të menjëhershëm të pensioneve bujqësore.
Dy çështje urgjente
Fermerët veçojnë si emergjente dy problematika madhore:
- Sëmundjet në blegtori, duke kërkuar vaksinim, kompensim të plotë për kafshët e asgjësuara dhe rindërtim falas të tufave.
- Skandali OPEKEPE, me kërkesë për kthimin e fondeve të përvetësuara tek përfituesit realë, zbardhjen e përgjegjësive politike dhe penale, si dhe refuzimin e integrimit të OPEKEPE në Autoritetin e të Ardhurave Publike (AADE).
Reagimet e qeverisë dhe biznesit
Pas refuzimit të dialogut nga fermerët, përfaqësues të botës së biznesit reaguan ashpër, duke theksuar se bllokadat po dëmtojnë ekonominë dhe shoqërinë. Kryeministri Mitsotakis u shpreh se “dialogu nuk mund të zhvillohet me ultimatume”, ndërsa riafirmoi se dera e qeverisë mbetet e hapur për bisedime.
Ai paralajmëroi një paketë të re mbështetjeje financiare, por theksoi se integrimi i OPEKEPE në AADE është i panegociueshëm, duke e cilësuar si hap të domosdoshëm për reformimin dhe modernizimin e sektorit primar.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit sindikalë të fermerëve paralajmëruan për përshkallëzim të bllokadave, duke njoftuar se 57 pikat e bllokimit në të gjithë vendin do të forcohen në ditët në vijim.
