Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka intensifikuar hetimet në kuadër të çështjes që lidhet me tenderat e infrastrukturës, ku nën hetim ndodhet edhe zv/kryeministrja e pezulluar, Belinda Balluku. Sipas burimeve pranë organit të akuzës, hetimet po shtrihen përtej përgjegjësive individuale, duke përfshirë edhe biznesmenë dhe zyrtarë që dyshohet se kanë përfituar fonde publike nëpërmjet procedurave tenderuese.
Në javët e fundit janë zhvilluar kontrolle në zyra biznesesh dhe ambiente familjare, ku janë sekuestruar telefona celularë, dokumentacione dhe pajisje kompjuterike. Materialet e sekuestruara po i nënshtrohen ekspertimit kibernetik.
Sipas raportimeve mediatike, mes personave të thirrur për të dëshmuar apo që pritet të thirren janë emra të njohur të biznesit në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës, si dhe zyrtarë të ministrisë. Deri më tani, disa prej tyre janë marrë në pyetje nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se aktualisht asnjë prej biznesmenëve të përmendur nuk është marrë zyrtarisht si i pandehur, ndërsa procedura vijon në fazën e verifikimeve dhe marrjes së dëshmive.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK për dyshime mbi paracaktim fituesish në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe për shkelje të tjera të lidhura me procedura infrastrukturore. Gjykata ka vendosur më herët masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin e saj, kërkesë që ende nuk është shqyrtuar nga Komisioni i Mandateve.
Hetimet vijojnë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera në lidhje me këtë dosje.
