Deputetja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe raportin e fundit të IBAR-it, duke deklaruar se avancimi i vendit drejt BE-së lidhet kryesisht me zhvillimet gjeopolitike dhe luftën në Ukrainë, dhe jo me meritat e qeverisë shqiptare.
Në një lidhje televizive, Xhixho u shpreh se raporti i IBAR-it ishte procedural dhe duhej të ishte miratuar më herët, ndërsa theksoi se vonesat dhe ndryshimet në draftin final erdhën si pasojë e shqetësimeve të ngritura nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian mbi situatën reale në Shqipëri.
Sipas saj, lufta në Ukrainë ka bërë që procesi i zgjerimit të Bashkimi Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor të marrë një ritëm më të shpejtë.
“Avancimi i procesit të integrimit europian është falë momentit gjeopolitik në të cilin ndodhemi. Lufta në Ukrainë ka bërë që avancimi i Ballkanit Perëndimor drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian të marrë një shpejtësi tjetër”, deklaroi Xhixho.
Deputetja opozitare shtoi se miratimi i draftit u shty për më shumë se tre muaj dhe se versioni final ndryshoi ndjeshëm nga propozimi fillestar i Komisioni Evropian.
Ajo tha se shumë shtete europiane ngritën pikëpyetje serioze për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri.
Sipas Xhixhos, raporti i fundit europian shërben si një “skaner” i gjendjes në vend dhe konfirmon shqetësimet e ngritura prej kohësh nga opozita.
“Ky raport është një analizë e qartë dhe e detajuar e situatës në të cilën ndodhet vendi”, u shpreh ajo.
Deputetja e Partisë së Lirisë kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si degradim të reformës në drejtësi dhe përhapje të korrupsionit në çdo nivel të qeverisjes, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë vendor.
