Plagosja e nxënësit në Kukës, procedohen drejtuesi teknik dhe punonjësi i kantierit

Data

Policia e Kukësit ka nisur procedim penal ndaj drejtuesit teknik dhe një punonjësi të firmës që po kryente punime rikonstruksioni pranë shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, pas plagosjes së një nxënësi 11-vjeçar.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, kur i mituri, teksa po luante me top pranë ambientit të shkollës, është dëmtuar nga materiale inerte të hedhura nga godina në rikonstruksion. Sipas policisë, nxënësi kishte kaluar perimetrin e sigurisë në momentin e incidentit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

  • K. K., 26 vjeç, punonjës i firmës ndërtuese, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.
  • A. D., 62 vjeç, drejtues teknik i firmës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

11-vjeçari u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Kukësit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related