SHBA merr në dorë spastrimin e policisë nga efektivët e korruptuar dhe inkriminuar,ekspertë amerikanë “zbarkojnë” në…

Data

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në lëvizje, ndërsa kanë marrë një rol aktiv në spastrimin e policisë shqiptare, duke u angazhuar për të larguar efektivët e korruptuar dhe të inkriminuar. Një ekip ekspertësh amerikanë ka mbërritur në Tiranë për të nisur një trajnim tre-javor për agjentët e AMP, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e rendit. Ky program përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të ligjit dhe rendit në vend. Ditën e djeshme, ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se ICITAP ka nisur një kurs tre javor për 15 agjentë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me qëllim rritjen e aftësisë për të zbuluar mangësitë në zbatimin e ligjit nga efektivët e policisë. Sipas ambasadës, deri më tani janë trajnuar në total 160 oficerë.

“Sot, më 23 shtator, Departamenti i Drejtësisë i SHBA – ICITAP, në partneritet me Agjencinë Shqiptare të Mbikëqyrjes Policore (AMP), nisi një kurs trijavor për hetimin e krimit për 15 hetues të AMP në Ministrinë e Brendshme. Ky program, i konceptuar për herë të parë në vitin 2022, synon të rrisë aftësitë e Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në hetimin e krimeve, duke përmbushur standardet kombëtare. I mbështetur nga zyrtarë të lartë në qeverinë e Shqipërisë, ky kurs ka trajnuar tashmë mbi 160 oficerë dhe vazhdon të krijojë kapacitete në zbatimin e ligjit në Shqipëri. Ambasada e SHBA është krenare që mbështet këtë nismë për më shumë llogaridhënie nga policia në rrugën drejt integrimit në BE”, njoftoi dje ambasada e SHBA. Pra ky angazhim vjen si një përgjigje ndaj nevojës për një forcë policore më të besueshme dhe efektive në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Po ashtu, theksojmë se objekti i këtij trajnimi është hetimi i krimeve, sipas një moduli të standardizuar bashkëkohor dhe i miratuar tashmë nga Prokurori i Përgjithshëm

Reagon ministri i Brendshëm

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në fjalën e tij përshëndetëse në fillim të këtij trajnimi, theksoi mbështetjen e plotë për AMP-në dhe çdo institucion tjetër të varësisë, që do t’i nënshtrohen një procesi efektiv reformimi. “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë mbështetjen time më të fortë, duke rritur dhe forcuar më tej hetimet proaktive në luftë kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit”, deklaroi dje ministri Hoxha. Sipas tij, AMP duhet të jetë më dinamike në ushtrimin e funksioneve të saj dhe për këtë punonjësit e saj duhet të kenë përgatitjen e duhur. “Për të pasur një reformë të suksesshme, ndër të tjera kemi nevojë që AMP të jetë sa më dinamike në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të saj. Që të arrihen objektivat tona, duhet që punonjësit e AMP të kenë përgatitjen e duhur profesionale, integritetin dhe personalitetin e duhur”, nënvizoi ministri Hoxha.

Krimi kërcen Tango me policinë

Ndërkohë kujtojmë se zbardhja e komunikimeve me “SKY ECC” ka zbuluar se Policia e Shtetit është infektuar deri në nivelet më të larta në bashkëpunimin që ka me krimin. Me mesazhet e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC” krijohet një hartë për gjeografinë e krimit në Shqipëri, madje mund të përcaktohen edhe zonat ku forca e krimit i mbivendoset vullnetit të Policisë së Shtetit. Sepse në jo pak raste, mesazhet e “SKY” tregojnë llumin ku është zhytur policia shqiptare sot. Në mesazhet e “SKY ECC” nuk flitet për ryshfetin e zakonshëm me pak lekë të policëve të qarkullimit, as për ndonjë shkelje të rëndomtë ku polici i thjeshtë bën një sy qorr e një vesh shurdh për një grusht me para. Në to bisedohet për organizimin e vrasjeve nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend, ku shefat e policisë japin një ndihmë duke dhënë informacione sekrete. Flitet për parcela me kanabis, ku shefat e policisë qëndrojnë si mburojë dhe shqetësohen bashkë me trafikantët se po policë të tjerë po vijnë dhe po ua shkatërrojnë. Flitet në këto mesazhe edhe për kazino të fshehta apo për informacione sekrete që i vihen në dispozicion njërës bandë në dëm të bandës tjetër. Implikimi i uniformave blu në krim është alarmant. Mesazhet në “SKY ECC” tregojnë se tradhtia vjen nga kupola drejtuese, njerëz që i japin policisë fytyrën e një bishe që ka dalë jashtë kontrollit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related