Kryeredaktorja Belinda Balluku sulmon Fatmir Xhafajn nga televizioni i saj, ja si zv/kryeministrja dikton linjën…

Data

Partia Socialiste duket se është përfshirë nga një “sherr” i paprecedent. Protagonistë janë bërë deputeti i PS, Fatmir Xhafaj dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila edhe pse është katapultuar në politikë dhe PS pa pasur kontribut, ka zgjedhur të forcojë pozitat e saj brenda mazhorancës, duke iu shpallur “luftë” figurave të vjetra që kanë bërë epokë në Partinë Socialiste. Në një dalje televizive javën që shkoi në emisionin “Opinion”, ish-ministri ndër të tjera, foli për gjobëvënie dhe media të kriminalizuar, pa përmendur se cilës media i referohej. Mes shumë pyetje përgjigjeve, ai sulmoi me epitete tejet të forta indirekt televizionin “Top Channel”.

Ai foli për organizimin nga ky ekran kombëtar të një emisioni “gjobëvënës” që është akuzuar dhe dyshohet për gjobëvënie. Ai e quajti këtë një “produkt të aleancës së plehrave, midis krimit, biznesit, grupeve të biznesit në këtë fushë dhe medias së kriminalizuar”. Por akuzat e Xhafajt mbi gjobvënien dhe lidhjet e dyshimta të mediave me krimin kanë shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga televizioni “Top Channel”, linja editoriale e së cilit diktohet nga zv/kryeministrja Balluku, sikundër e ka pohuar pak muaj më parë ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Sipas “Top Channel” bëhet fjalë për këtë televizion dhe emisionin investigativ “Inside Story”.

Përmes një reagimi “Top Channel”, të nesërmen e intervistës së Xhafës, konkretisht redaksia e televizionit u përgjigj se i takon ish-ministrit të pastrohej nga e shkuara e tij e nxjerrë në pah në Inside Story: “Dalja publike përkon me ambicien e re politike, të cilën Xhafaj e ka shpalosur kohët e fundit nëpërmjet një komisioni të posaçëm anti-korrupsion, që brenda radhëve të socialistëve shihet si një rikthim i ish-Ministrit të Brendshëm. E për të arritur këtë, Xhafaj duhet të pastrojë të shkuarën e tij, ku Inside Story ka një rol të pashmangshëm. Dokumentari, për të cilën Xhafaj i referohet me zhargonin e gjobvënies, reflekton një mllef të mbartur, një argument shterp, një akuzë penale, përballë dhjetëra fakteve të publikuara në dokumentarin e vitit 2018″, thuhej në deklaratën e televizionit.

Por kjo situatë nxjerr në pah dinamika të rrezikshme, ku figura politike përpiqen të kontrollojnë narrativat që ndihmojnë në forcimin e imazhit të tyre. Në mes të kësaj përplasje, lindin disa pyetje të rëndësishme: A është Top Channel një platformë e pavarur informimi, apo një vegël e politikës që shërben për të mbuluar skandale? ; A është Balluku një zë i fuqishëm që dikton linjën editoriale të Top Channel, apo është ajo thjesht një pjesë e skenës së një teatri politik më të madh?

Megjithatë kjo përplasje e ashpër sjell në vëmendje çështjen e pavarësisë së mediave në Shqipëri dhe rolin e tyre në formësimin e narrativave publike. Ndërsa akuzat e ndërsjellta heqin maskat nga një realitet më i errët, intriga e kësaj historie vetëm sa intensifikohet, duke lënë publiku në pritje të zbardhjes së të vërtetës pas këtyre akuzave të rënda, të cilat Belinda Balluku si aktore kryesore duhet t’i sqarojë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related