Nga aborti, tek ekonomia, qëndrimet kontradiktore të Donald Trump dhe Kamala Harris përpara debatit të tyre të parë

Data

Ish-Presidenti Donald Trump dhe Nënpresidentja Kamala Harris do të përballen për herë të parë në debatin e shumëpritur mbrëmjen e së martës. Dy kandidatët për president e përshkruajnë gjendjen e vendit me terma krejtësisht të ndryshme.

Ish-Presidenti Trump shpesh paraqet një pamje më të errët, të përqëndruar tek çështje si emigracioni dhe inflacioni i lartë, ndërsa Nënpresidentja Harris përqëndrohet tek optimizmi për të ardhmen, duke premtuar se “nuk do të kthehemi pas”.

Debati i parë për zgjedhjet e vitit 2024 u mbajt në qershor, kur Presidenti Joe Biden bëri një paraqitje të dobët, që shkaktoi tërheqjen e tij nga gara. Në atë debat pati deklarata të shumta të pavërteta nga të dy kandidatët dhe ka gjasa që përballja e së martës të ketë një pamje të ngjashme.

Le t’i hedhim një vështrim deklaratave të pavërteta të bëra nga ish-Presidenti Trump dhe Nënpresidentja Harris gjatë aktiviteteve të fundit publike.

Aborti mbetet çështje kryesore

Vendimi i paprecedent i Gjykatës së Lartë që rrëzoi të drejtën për abort në nivel kombëtar, e ka bërë abortin një çështje kryesore për zgjedhjet e vitit 2024. Si rezultat i këtij vendimi, aborti ndalohet tashmë në të gjitha fazat e shtatzënisë në 14 shtete të qeverisura nga republikanët, me disa përjashtime të kufizuara. Në tre shtete të tjera, aborti ndalohet pas gjashtë javëve të para të shtatzënisë, kur në shumicën e rasteve gratë ende nuk janë në dijeni të barrës.

Ish-Presidenti Trump i paraqet shpesh demokratët si radikalë në lidhje me abortin. Ai ka deklaruar në disa raste, përfshirë gjatë debatit të qershorit, se disa shtete ua lejojnë grave të abortojnë pasi e kanë lindur fëmijën. Kjo nuk është e vërtetë. Marrja e jetës së foshnjës është vepër penale në të gjitha shtetet amerikane dhe asnjë shtet nuk ka miratuar legjislacion që lejon vrasjen e një foshnje pas lindjes.

Nënpresidentja Harris duke mbërritur në Pensilvani përpara debatit (9 shtator 2024)
Nënpresidentja Harris duke mbërritur në Pensilvani përpara debatit (9 shtator 2024)
Gjatë fjalimit të saj kur pranoi emërimin si kandidate zyrtare e Partisë Demokrate për presidente, zonja Harris tha se zoti Trump do të “vendoste ndalimin e abortit në mbarë vendin, me apo pa Kongresin”. Ish-Presidenti Trump tha më 22 gusht në emisionin “Fox & Friends”, se “nuk do ta bëja këtë kurrë. Nuk do të ketë ligj federal ndalimi. Kjo çështje u është rikthyer tashmë shteteve, aty ku duhet të jetë”. Sidoqoftë, deri në mars ai pati sugjeruar se do ta mbështeste ndalimin e abortit në mbarë vendin në periudhën pas rreth 15 javëve të para të shtatëzanisë.

Faji për tërheqjen nga Afganistani

Ish-Presidenti Trump është përpjekur vazhdimisht të bëjë lidhjen mes Nënpresidentes Harris dhe tërheqjes nga Afganistani, që shkaktoi rikthimin në pushtet të talebanëve përpara se të ishin larguar plotësisht forcat amerikane nga aeroporti i Kabulit në gusht 2021.

Shumica e vlerësimeve për këtë çështje arrijnë në përfundimin se ish-Presidenti Trump dhe Presidenti Biden kanë përgjegjësi të përbashkët për përfundimin tronditës të luftës më të gjatë në historinë e Amerikës. Raporti kryesor i inspektorit të qeverisë vuri në dukje marrëveshjen e ish-Presidentit Trump me talebanët në vitin 2020 për tërheqjen e forcave amerikane si “faktori më vendimtar” për kolapsin e forcave afgane të sigurisë dhe marrjen e pushtetit nga talebanët.

Njoftimi nga Presidenti Biden në prill 2021 se do të vazhdonte me planet për tërheqjen të fiulluara nga ish-Presidenti Trump, ishte faktori i dytë më i rëndësishëm. Nënpresidentja Harris ka thënë se ishte e pranishme kur Presidenti Biden mori vendimin, por as raporti i qeverisë dhe as hetimi që bënë për 18 muaj ligjvënësit republikanë nuk kanë identifikuar ndonjë moment kur nënpresidentja pati rol domethënës në këtë vendimmarrje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related