Gjatë orëve të natës, në qarqet Lezhë dhe Kurbin reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të ulët, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm të situatës së përmbytjeve.
Uji është tërhequr në pjesën më të madhe të zonave urbane, ndërsa vihet re edhe rënie e nivelit të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër. Megjithatë, pasojat e reshjeve të ditëve të fundit vijojnë të jenë të pranishme.
Në Bashkinë Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje për arsye sigurie, ndërsa sipërfaqja totale e tokës së përmbytur në gjithë qarkun llogaritet rreth 2600 hektarë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 150 banesa mbeten ende të rrethuara nga uji, kryesisht në zonat e ulëta dhe rurale.
Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencës vijojnë monitorimin e situatës dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna.
