Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka përgëzuar protestuesit dhe banorët e Mamurrasit të cilët protestuan ditën e sotme në autostradën Thumanë-Kashar, pasi nuk kanë hyrje-dalje në këtë aks rrugor. ‘Banorët e Mamurrasit u përballën dhëmb për dhëmb me falangat e narkoshtetit’, u shpreh Berisha. Lideri i opozitës i ka bërë thirrje qytetarëve nga veriu i Shqipërisë që të ngrihen në mosbindje civile duke i hequr të gjitha vendpagesat e vendosura nga qeveria e Edi Ramës, si në ‘Rrugën e Kombit’ dhe në autostradën Thumanë-Kashar: ‘U bëj thirrje qytetarëve nga Fushë Kruja në Vermosh t’i fshijnë nga faqja e dheut të gjitha vendpagesat për kalimin në rrugë’.
Gjithashtu Berisha ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës, teksa i ka kujtuar këtij të fundit vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar dhe mandatin e Olta Xhaçkës, tha se po i shkelmon qëllimisht ato, vetëm për të mbushur valixhet me narkoeuro. Duke folur para mbështetësve poshtë banesës së tij, Berisha tha se ligji tashmë është në duart e bandave kriminale. ‘Përmbysja e kësaj narkodiktature është misioni më i shenjtë! Kjo përmbysje është vendimtare për vetë ekzistencën e PD-së’, u shpreh Berisha.
Në fund të fjalës, Berisha ka theksuar se beteja e opozitës nuk është kurrë për një grusht mandatesh deputetësh. ‘Beteja jonë nuk është kurrë për një grusht mandatesh! Beteja jonë është për rikthimin e votës së lirë dhe rotacionin politik’, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha në tubimin qytetar.
