Rama replika të ashpra me Lubonjën për Zvërnecin: Jeton me makthin e mafies, mua nuk ka nevojë të më mundni

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të analistit Fatos Lubonja, i cili një ditë më parë mbështeti protestat kundër projektit turistik në Zvërnec dhe kritikoi qeverinë për mënyrën e menaxhimit të situatës.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se Lubonja “jeton me makthin e mafies”, duke e krahasuar retorikën e tij me propagandën e dikurshme të “armikut të popullit”.

Kreu i qeverisë theksoi se debati për Zvërnecin nuk duhet të reduktohet në përplasje politike, por duhet të fokusohet te vizioni për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

“Që t’ju shoh unë që të shkoni pas berihait të Fatos Lubonjës, që jeton me makthin e mafies që kur u nda nga unë, unë nuk e pranoj. Respekt për atë si person, respekt për vuajtjet e tij të mëparshme, por mafien që ai më tregon mua, ma tregon sepse është njësoj si ata që i tregonin atij armikun e popullit”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se nuk e sheh betejën si një përplasje me qytetarët, por si një diskutim mbi modelin e zhvillimit që duhet të ndjekë Shqipëria.

“Mua nuk ka nevojë të më mundni. Unë nuk e kam me ju betejën. Betejën e kam bashkë me ju. Pyetja është: çfarë niveli Shqipërie duam përballë këtij projekti?”, tha kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë pas qëndrimit të Lubonjës në protestën e mbajtur kundër ndërtimeve në Zvërnec, ku analisti e cilësoi ngjarjen si një shembull të funksionimit të një “pushteti kriminal” dhe bëri thirrje për reagim qytetar.

“Kjo është çështje e të gjithëve ne, sepse ka ardhur koha të mendojmë seriozisht se këta mund të na vijnë dhe të na tërheqin zvarrë nga shtëpitë tona. Ngjarja e Zvërnecit zbërthen mekanizmin e pushtetit kriminal”, ishte deklarata e Lubonjës gjatë protestës.

Përplasja mes Ramës dhe Lubonjës është vetëm një nga debatet e shumta që kanë shoqëruar projektin e investimit në Zvërnec, i cili ka nxitur reagime të forta politike, qytetare dhe mjedisore gjatë ditëve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related