Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin përfundimtar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik në nëntor të vitit 2024. Autori, Marjo Përlleshaj, vetëm 15 vjeç në kohën e krimit, është dënuar me 16 vite burgim, dënim i dhënë me gjykim të shkurtuar për shkak të moshës së tij minorene.
Reagimi i familjes: “Dhimbja nuk ndryshon, as me burgim të përjetshëm”
Pas shpalljes së vendimit, babai i Martin Canit u shpreh para mediave se asnjë dënim nuk mund ta lehtësojë humbjen e familjes.
“Dhimbja jonë është e madhe dhe nuk krahasohet, sikur dhe të dënohej me burgim të përjetshëm. Shkolla nuk ka kërkuar as pendesë, asgjë”, – tha ai.
Familja Cani ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke kërkuar hetime të mëtejshme për të sqaruar nëse në dhunën fatale ishin të përfshirë edhe persona të tjerë.
Avokati i familjes: “Drejtësia u vendos, por çështja nuk mbyllet këtu”
Avokati i familjes theksoi se vendimi shënon një hap të rëndësishëm, por se procedurat ligjore do të vijojnë:
“Gjykata bëri drejtësi sot. Ne do të ndjekim çdo të drejtë ligjore në instancat e tjera. Do ta vlerësojmë vendimin sapo të zbardhet i plotë.”
Dilema dhe pikëpyetje mbi hetimin: A pati persona të tjerë të përfshirë?
Edhe pse policia deklaroi se autori ka vepruar i vetëm, dëshmitarë të ngjarjes kanë treguar se në vendngjarje mund të kenë qenë edhe persona të tjerë të armatosur me thika. Këto pretendime kanë lënë hapur dyshime mbi versionin zyrtar të ngjarjes.
Vetë shoku i viktimës, i plagosur gjatë përplasjes, ka dëshmuar se është goditur nga një person pas shpine, ndërsa policia pretendon se Marjo Përlleshaj ndodhej i shtrirë në tokë në momentin e incidentit.
Dëshmia e autorit: “E gjeta thikën në rrugë”
Në dëshminë e dhënë në prani të psikologut, Përlleshaj shpesh shmangu përgjigjet dhe deklaroi se nuk e mbante mend momentin e goditjes fatale. Ai mohoi se kishte marrë thikë me vete në shkollë, duke pretenduar se e kishte gjetur në rrugë pak para konfliktit.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë u zhvillua pas një konflikti të nisur disa ditë më parë mes dy nxënësve të shkollës “Fan Noli”. Sipas dëshmive:
- Debatet midis tyre kishin vijuar përmes rrjeteve sociale.
- Të dy palët e kishin lënë të sqaronin konfliktin ditën kur ndodhi vrasja.
- Pas përfundimit të mësimit, tensioni u përshkallëzua në një përplasje fizike, që përfundoi tragjikisht me:
- Vrasjen e Martin Canit,
- Plagosjen e një miku të tij,
- Vetëplagosjen e autorit.
Thika është gjetur ditë më vonë në një ndërtesë të braktisur dhe ekspertiza ka konfirmuar se me të është kryer sulmi.
