SPAK nis hetimet kryesisht për projektin në Zvërnec, në fokus statusi i zonës dhe procedurat e administrimit të truallit

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetime kryesisht lidhur me projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, pas debatit publik dhe polemikave të krijuara së fundmi mbi statusin e territorit dhe procedurat e ndjekura për realizimin e investimit.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se në fokus të verifikimeve janë procedurat administrative që lidhen me statusin e zonës, administrimin e truallit dhe vendimmarrjet institucionale që kanë shoqëruar projektin. Në kuadër të hetimeve janë kryer kontrolle dhe janë sekuestruar dokumente që konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të çështjes.

I pyetur nga mediat mbi këtë proces, SPAK ka konfirmuar se hetimet janë në zhvillim, por pa dhënë detaje shtesë.

“Në përgjigje të pyetjes suaj, çështja është në hetim dhe nuk kemi komente”, thuhet në reagimin zyrtar të zyrës së shtypit të SPAK.

Hetimi pritet të përqendrohet në ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për ndryshimin e statusit të zonës, si dhe në mënyrën e administrimit të sipërfaqeve ku parashikohet zhvillimi i projektit investues në Zvërnec.

Lëvizja e SPAK vjen në një moment kur projekti ka shkaktuar reagime të forta publike, protesta dhe debate politike, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë nëse janë respektuar të gjitha procedurat ligjore gjatë procesit të miratimit dhe zbatimit të tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related