Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike në disa zona të vendit, duke theksuar se operacioni do të vazhdojë deri në ndalimin e plotë të ndërtimeve pa leje.
Përmes një reagimi publik, Rama deklaroi se qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i hapësirave publike për qytetarët dhe vendosja e rregullit ndaj ndërtimeve të paligjshme.
“Operacioni nuk do të ndalet askund, deri kur askush të mos e mendojë më se mund të ndërtojë metra katrorë pa leje”, u shpreh kryeministri.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në korrik të vitit 2025 dhe është shtrirë në disa qytete të vendit. Në kuadër të këtij operacioni janë ndërmarrë ndërhyrje për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe për largimin e strukturave që zënë hapësira publike.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet dhe ndërhyrjet do të vijojnë edhe në zonat e tjera, me synimin për të rikthyer hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme.
