Analisti Gent Progni ka deklaruar se punonjës të administratës publike, konkretisht në Tatime dhe Dogana, po përballen me presion për të blerë bileta për koncertin e artistit amerikan Kanye West.
I ftuar në një intervistë televizive, Progni pretendoi se punonjësve të këtyre institucioneve u është kërkuar të blejnë bileta, duke shtuar se çmimi më i ulët është 85 euro.
Ai bëri publike edhe përmbajtjen e një mesazhi që, sipas tij, u është dërguar mësuesve në arsimin 9-vjeçar, ku njoftohet se Ministria e Arsimit do të shpërndajë bileta falas për nxënësit e arsimit parauniversitar.
“Janë detyruar nga administrata në Tatime dhe Dogana të blihen bileta me urdhër. Është 85 euro më e lira. Ndërkohë, është dërguar edhe ky mesazh: ‘Mirëmëngjes, duke kërkuar ndjesë, për nxënësit që keni deklaruar, Ministria e Arsimit do të japë bileta falas për festivalin e Kanye West’”, u shpreh Progni.
Deri në këtë moment nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Ministria e Arsimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apo Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lidhur me këto pretendime.
