Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përmbyllur takimin e tij elektoral në qarkun e Korçës, nga ku dhe kërkoi votën e qytetarëve për zgjedhjet e 11 Majit, por gjithashtu lëshoi dhe akuza ndaj kryeministrit Edi Rama. Berisha u shpreh se qeverisja aktuale, e vetmja gjë që ka bërë për Korçën është aksi rrugor “Korçë-Ersekë”, por dhe ajo e ndërtuar gjysmë sipas kryedemokratit, e se shembet çdo muaj. Ai vijoi duke thënë se problemet ekonomike kanë goditur këtë qark, duke sjellë falimentime.
“Çdo korçar i mençur dhe korçare që mbyll sytë dhe mendon këto 12 vite, do të gjejë se, Korça nga një vend shprese, nga një qytetet i mrekullueshëm, i famshëm për dhuntitë e veta, për kulturën, për atdhedashjen, për shpirtin punëtor, shpirtin krijues, për pastërtinë, për çdo gjë. Fermerët e Korçës, burra dhe gra ndër më efecientët, ndër më të zotët. Po kështu, të Devollit, Pogradecit, Ersekës. Në 12 vite, u larguan nga Korça, nga Erseka, Pogradeci, Devolli, ndofta si kurrë në historinë e tyre. U larguan, jo se nuk donin Korçën, Pogradecin, Devollin apo Ersekën. Përkundrazi, me pasuritë e mëdha të kësaj treve, me liqej mahnitës, fantastikë, jo vetëm për Ballkanin, Europën. Me fermerët e saj ndër më të zotët që mund të ekzistojnë. Me intelektualët e saj të shquar. Me artistët, me këngëtarët, me shkrimtarët, me elitën e saj, Korça është vetëm për t’u admiruar.
