Deputetja e Partisë së Lirisë, Burnilda Haxhiu, ka akuzuar qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike, duke deklaruar se 4.2 milionë euro nga fondi i emergjencave janë destinuar për financimin e koncertit të Kanye West, në vend që të investohen në sektorë si shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe mbështetja për shtresat në nevojë.
Në një deklaratë për mediat, Haxhiu u shpreh se emergjenca reale në Shqipëri është varfëria, emigrimi i të rinjve, vështirësitë e pensionistëve, mungesa e mbështetjes për fermerët dhe problemet në spitale e shkolla.
“Një fond që ekziston për raste fatkeqësish natyrore, kriza kombëtare dhe situata të jashtëzakonshme nuk mund të përdoret për koncerte, evente apo propagandë politike. Fondi i emergjencave nuk është një arkë rezervë për dëshirat e qeverisë”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes së PL-së, përdorimi i këtij fondi për një aktivitet që nuk lidhet me emergjencat ngre pikëpyetje serioze mbi administrimin e financave publike dhe respektimin e ligjit.
Haxhiu argumentoi se, ndërsa spitalet përballen me mungesë pajisjesh dhe ilaçesh, shkollat kanë nevojë për investime, fermerët kërkojnë mbështetje dhe pensionistët përpiqen të përballojnë kostot e jetesës, qeveria ka zgjedhur të financojë një aktivitet që, sipas saj, nuk sjell përfitime afatgjata për qytetarët.
Në përfundim, ajo kërkoi transparencë të plotë mbi përdorimin e fondit, publikimin e dokumentacionit përkatës dhe mbajtjen e përgjegjësisë politike e ligjore për çdo shkelje të mundshme.
“Paratë publike janë të qytetarëve dhe duhet të përdoren në interesin e tyre. Shqipëria ka nevojë për investime në shërbime publike dhe mirëqenie, jo për spektakle të financuara me fondet e emergjencave”, përfundoi Haxhiu.
