Prestigjiozja gjermane FAZ i jep zë protestës kundër Ramës: “Faza e fundit para fundit të qeverisë”

Data

Gazeta prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) i ka kushtuar një artikull të zgjeruar protestës së opozitës shqiptare të zhvilluar në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment domethënës në krizën politike të vendit.

Sipas FAZ, mijëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës, të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u mblodhën përpara Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Media gjermane raporton se protesta u shoqërua me përplasje të forta mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ku u përdorën kokteje Molotov nga protestuesit, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe topa uji.

FAZ citon drejtpërdrejt Berishën, i cili u bëri thirrje qytetarëve “të bashkohen për të rrëzuar këtë qeveri” dhe kërkoi krijimin e një qeverie teknike që të organizojë zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në “fazën e fundit para fundit të qeverisë së Edi Ramës”.

Artikulli thekson gjithashtu klimën e rënduar politike në Shqipëri, ku akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar janë kthyer në boshtin kryesor të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës. FAZ përmend hetimet dhe procedurat penale ndaj disa figurave të larta politike, duke nënvizuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten pengesa serioze për aspiratat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas raportimit, pas fjalimit të Berishës, tensionet u rritën ndjeshëm, me protesta që u zhvendosën edhe drejt Parlamentit, ku pati tentativa për thyerjen e kordonëve të policisë. Media gjermane shkruan se disa policë mbetën të plagosur lehtë, ndërsa dhjetëra protestues u arrestuan.

Në përfundim, FAZ vëren se politika shqiptare vijon të karakterizohet nga një përplasje e ashpër dhe retorikë ekstreme mes kampeve kundërshtare, duke e vendosur vendin në një situatë të thellë polarizimi politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related