Banorët e Rrjollit shembin rrethimin e kantierit, tensione me policinë gjatë protestës kundër resortit

Data

Tensionet janë rritur në Rrjoll të Velipojës gjatë protestës së banorëve kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë. Protestuesit kanë shembur një pjesë të rrethimit prej hekuri dhe gardhit me tela me gjemba që rrethon kantierin e ndërtimit.

Gjatë aksionit për heqjen e rrethimit, pati përplasje verbale mes banorëve dhe forcave të policisë që ndodheshin në terren për të monitoruar situatën dhe për të garantuar rendin publik.

Një nga protestuesit iu drejtua efektivëve duke kërkuar zbatim të barabartë të ligjit për të gjitha palët e përfshira në konfliktin mbi pronësinë dhe zhvillimin e zonës.

“Po me qenë toka jote? Jemi bijtë e këtij populli”, u shpreh ai gjatë debatit me policinë.

Nga ana e tij, një efektiv policie u përgjigj se forcat e rendit kanë vepruar në mënyrë korrekte gjatë gjithë situatës.

“Policët kanë qenë shumë korrekt”, tha efektivi.

Megjithatë, protestuesi kundërshtoi këtë qëndrim, duke pretenduar se në raste të caktuara është ushtruar forcë e tepruar ndaj banorëve.

“Jo të tanë. Ka qenë një polic që ia ka kthyer duart si me pas vra dikënd. Nuk iu vë faj. Por ju duhet me e ba ligjin. Nëse ma mbron ligjin në të dy anët të jap dorën. Po ti ligjin vetëm te unë, jo te ai”, deklaroi ai.

Banorët e Rrjollit kundërshtojnë prej kohësh projektin turistik që po zhvillohet në zonë, duke pretenduar se cenohen interesat dhe të drejtat e tyre mbi tokat. Ndërkohë, autoritetet dhe investitorët kanë mbrojtur ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për realizimin e projektit.

Protestat në zonë kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit, ndërsa situata mbetet e tensionuar mes banorëve, investitorëve dhe institucioneve shtetërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related