Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, e cilësoi protestën e 24 janarit si një shpërthim masiv qytetar dhe një sinjal të fortë kundër asaj që ai e quan “narko-regjim”. Sipas Nokës, mijëra qytetarë, me të rinjtë në krye, vërshuan në bulevard si një lum i pandalshëm, duke i dërguar pushtetit mesazhin se durimi ka marrë fund.
I ftuar në një emision televiziv, Noka theksoi se energjia e protestës ishte e paprecedentë dhe se pjesëmarrja masive e rinisë ishte elementi që e tronditi më shumë qeverinë. “Kur rinia ngrihet, nuk ka forcë që e ndal. Kjo është arsyeja pse Rama reagoi i tërbuar dhe në panik,” u shpreh ai.
Deputeti demokrat lidh zemërimin qytetar me aferat e korrupsionit dhe, sipas tij, me kapjen e shtetit nga interesa kriminale. Ai shtoi se reagimi i dhunshëm i policisë dhe shoqërimet në komisariate janë shenjë e një pushteti në grahmat e fundit.
Noka nënvizoi se asnjë nga protestuesit e arrestuar nuk është thyer dhe se morali i tyre mbetet i lartë. “Në çdo qeli dëgjohet thirrja ‘Rama ik, qeveri teknike’. Kjo tregon se frika ka ndërruar krah,” përfundoi ai.
