Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër. Hetimet kanë zbuluar se autori kishte një histori të gjatë shkeljesh rrugore dhe dyshohet se është trajtuar me tolerancë nga autoritetet.
Sipas të dhënave, Nikoll Radaçi është ndëshkuar për herë të parë në vitin 2020 për parakalim të gabuar. Në vitin 2022 ai është kapur dy herë duke tejkaluar shpejtësinë, por në të dy rastet është penalizuar vetëm me pezullim 1-mujor të patentës.
Kjo masë bie në kundërshtim me nenin 140 të Kodit Rrugor, i cili parashikon se në rast përsëritjeje të shkeljes brenda dy viteve, pezullimi duhet të jetë nga 8 deri në 18 muaj. Kjo ka ngritur dyshime se drejtuesi i mjetit është favorizuar, duke shmangur penalitete më të rënda që mund ta kishin larguar nga rruga.
Ngjarja e rëndë ndodhi ndërsa viktimat, dy fëmijë të mitur, po luanin në një zonë banimi. Sipas hetimeve, drejtuesi i mjetit kishte një nivel alkooli prej 0.70 mg/l, shumë mbi normat e lejuara, çka e bënte të paaftë për të kontrolluar automjetin.
Pas aksidentit, Policia e Shtetit ndërmori masa të menjëhershme. Me urdhër të Skënder Hita, u pezullua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë në Durrës, përfshirë drejtorin Afrim Tafa, zëvendësdrejtorin për rendin dhe sigurinë dhe shefin e qarkullimit rrugor.
Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të verifikuar nëse ka pasur shkelje apo neglizhencë nga ana e efektivëve të policisë në trajtimin e rasteve të mëparshme të këtij drejtuesi.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rritur presionin për përgjegjësi institucionale, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse mungesa e zbatimit të ligjit ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë tragjedi.
