Policia përditëson bilancin e aksidentit në autostradën Durrës–Tiranë: Humb jetën shoferi i autobusit, 12 të plagosur

Data

Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim përditësues lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke saktësuar bilancin e viktimave dhe të të plagosurve.

Sipas autoriteteve, viktima e vetme e aksidentit është drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Autobusi i linjës Berat–Tiranë humbi kontrollin dhe u përmbys në mes të rrugës, ndërsa nga pamjet e vendngjarjes shihet se përplasja ishte e fortë, duke bërë që barrierat metalike të depërtonin në brendësi të mjetit.

Bilanci i përditësuar tregon se 12 pasagjerë kanë mbetur të lënduar, dhe jo 15 siç u raportua fillimisht. Prej tyre, 7 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës dhe në institucione të tjera shëndetësore.

Policia sqaron se konfuzioni në raportimin e parë u shkaktua nga situata dinamike në vendngjarje dhe transportimi i të plagosurve në spitale të ndryshme. Një fëmijë, i cili fillimisht mbërriti pa shenja jete në një spital privat dhe u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor. Më pas ai u transferua në Spitalin e Traumës, ku vijon të mbahet nën kujdes intensiv.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Dyshimet paraprake janë se drejtuesi i autobusit mund të ketë pësuar një problem të papritur shëndetësor, çka ka sjellë humbjen e kontrollit të mjetit, por shkaku zyrtar do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related