Protestuesit janë nisur në këmbë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës drejt Komisariatit Nr. 1, ku dyshohet se po mbahen disa prej personave të shoqëruar gjatë protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit.
Gjatë marshimit, të rinjtë kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në disa segmente rrugore, ndërsa kanë vijuar me thirrje si: “Arrestoni Ramën” dhe “Lironi çunat tanë”.
Sipas organizatorëve, gjatë lëvizjes protestuesit janë përshëndetur nga disa drejtues automjetesh, të cilët kanë ndaluar mjetet e tyre në shenjë solidariteti.
Protesta vjen pas shoqërimit të gjashtë protestuesve nga policia gjatë tensioneve të regjistruara paraditen e sotme pranë Kuvendit. Sipas organizatorëve, të arrestuarit janë dërguar në Komisariatin Nr. 1, ndërsa pjesëmarrësit në marshim kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm.
Forca të Policisë së Shtetit po monitorojnë situatën përgjatë itinerarit të marshimit, ndërsa qarkullimi i mjeteve është ndikuar përkohësisht në zonat ku po kalon kolona e protestuesve.
