Shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, Agustin Suma, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të personave të plagosur në aksidentin e rëndë të ndodhur në autostradën Durrës–Tiranë, ku u përmbys një autobus i linjës Berat–Tiranë.
Sipas Sumës, drejtuesi 36-vjeçar i autobusit mbërriti në spital pa shenja jete, ndërsa ekipet mjekësore po vijojnë trajtimin intensiv të të plagosurve.
Ai bëri të ditur se mes të lënduarve ndodhen edhe dy fëmijë. Njëri prej tyre, rreth 8–9 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa fëmija tjetër, 14 vjeç, është shtruar në repartin e observimit.
Gjithashtu, pesë pacientë të moshës 30–50 vjeç po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Dy prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti i të cilëve ende nuk është konfirmuar, dhe sipas mjekëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Pesë të plagosur të tjerë janë në gjendje të stabilizuar dhe po marrin trajtim në urgjencë, pa rrezik për jetën.
“Ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë klinike të çdo pacienti,” u shpreh shefi i Urgjencës, duke theksuar se të gjitha strukturat spitalore janë angazhuar në trajtimin e të lënduarve.
