Pankartat politike, aktivistët e grushtuar, përballë një kryeministri që buzëqeshte derisa njerëzit e tij e kthyen Parkun Olimpik të Londrës në një sallë dhune, duke shtypur kundërshtarët politikë. Të dielën e freskët në Londër, Parku Olimpik Mbretëresha Elizabeth u paraqit si një festë e kulturës shqiptare, një ditë me valle popullore, kujtime dhe krenari për komunitetin. Por në të vërtetë, ky ishte një miting elektoral për kryeministrin Edi Rama, i fshehur pas një maske të aktivitetit kulturor. Pas 11 vitesh në pushtet, Rama nuk kishte organizuar kurrë më parë një ngjarje të tillë për diasporën.
Por koha e këtij mitingu, menjëherë pasi parlamenti shqiptar miratoi të drejtën e votës për diasporën, tregoi qartë qëllimin e vërtetë. Në vend të një feste të gëzueshme, ngjarja u kthye në një skenë dhune, frike dhe represioni. Protestues të lënduar, një diasporë e tronditur dhe një kryeministër me buzëqeshje të ftohtë ishin përfundimi i kësaj dite. Kur arrita në Parkun Olimpik, prisja valle e festë, por u takova me një tension të madh. Brenda sallës, njerëzit ishin të ndarë.
Niveli i poshtëm gumëzhinte nga valëvitjet e flamujve shqiptarë, ndërsa pjesa e sipërme ishte pothuajse bosh – një shenjë indiference ose mosmiratimi të heshtur. Jashtë, protestuesit mbanin pankarta kundër Ramës. Brenda, sigurimi dukej qëllimisht i dobët; askush nuk kontrollonte seriozisht hyrjet. Shfaqja filloi me performanca të bukura kulturore, valltarë të rinj në kostume tradicionale që kërcenin me krenari. Por kur u pyetën për Ramën, shumë prej tyre hezituan të flisnin, duke mos pasur ndonjë lidhje të fortë me politikat e tij.

Mbërritja e Edi Ramës
Kur Rama hyri në sallë, figura e tij prej politikani shtatgjatë tërhoqi vëmendjen. Disa duartrokitën me entuziazëm, të tjerë vetëm sa e shikonin e disa edhe deshën ta përqafonin atë. Fjalimi i tij, plot fraza të bukura, shkaktoi duartrokitje nga mbështetësit, por edhe murmërima të pakënaqësisë.

Derisa Rama po e mbante fjalimin e tij, një burrë u ngrit nga vendi dhe bërtiti “Hajdut!” ndaj Ramës. Menjëherë, disa burra me veshje të zeza iu sulën atij. Ajo që nisi si një ndërprerje verbale përfundoi në një rrahje të dhunshme. Burri u tërhoq me forcë jashtë, ndërsa turma brenda vazhdonte si të mos kishte ndodhur asgjë. Pak më vonë, disa njerëz hapën një pankartë kundër Ramës.
Para se të përfundonin, një turmë prej burrash të tjerë iu sulën. Rrahjet ishin të egra dhe brutale, duke lënë spektatorët të tronditur. Ndërsa lëvizja mes kaosit të dhunës, një burrë shtat-ulët më tërhoqi vëmendjen, një figurë e dobët me veshje të errëta, që lëvizte shpejt drejt një daljeje të sallës. E ndoqa me shpejtësi, duke shkrepur pyetje që mbetën pa përgjigje në ajrin e tensionuar. Më në fund e arrita dhe i kërkova të tregonte kush ishte dhe pse ishte përfshirë në sulmet brutale. I zënë ngushtë, ai pranoi me një qetësi të frikshme se ishte pjesë e një grupi privat sigurie, i sjellë posaçërisht nga Shqipëria për të “kontrolluar aktivistët” në këtë ngjarje.
