Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), duke e cilësuar atë si një nga instrumentet kryesore të reformës në prokurimet publike dhe shkëputjes së ministrive nga proceset e tenderimit.
Gjatë një deklarate publike, Rama tha se funksionimi i OBP-së ka sjellë një “kapërcim të madh” në mënyrën se si realizohen procedurat e blerjeve publike në vend.
“Operatori i Blerjeve të Përqendruara na ka dhënë mundësinë të bëjmë një tjetër kapërcim të madh që të mos bëjmë më tendera në ministri”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, ministritë dhe ministrat nuk kanë më lidhje direkte me tenderat, ndërsa procedurat po transferohen gradualisht drejt një strukture të specializuar me ekspertizë të dedikuar për prokurimet publike.
Rama shtoi se procesi po zgjerohet edhe drejt agjencive dhe pushtetit vendor, përmes bashkëpunimit me njësitë lokale.
Ai theksoi se procedurat e prokurimit janë shumë më komplekse sesa perceptohen shpesh në debatin publik dhe se krijimi i një strukture të specializuar si OBP është thelbësor për transparencën dhe përdorimin eficient të fondeve publike.
Sipas të dhënave të publikuara më herët nga vetë institucioni, OBP ka realizuar mbi 1 mijë procedura prokurimi për dhjetëra institucione, duke raportuar mbi 40 milionë euro kursime për buxhetin e shtetit gjatë dy viteve të operimit.
