Seanca e sotme plenare prodhoi një tjetër debat të nxehtë mes opozitës dhe mazhorancës, ku në qendër të replikave u vendos deputeti demokrat Erald Kapri dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Gjithçka nisi kur Kapri kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, që t’i tërhiqte vëmendjen Ballës për t’u ngritur në këmbë sa herë flet në sallë.
“Të lutem shumë, tërhiqi vëmendjen kolegëve dhe veçanërisht kreut të Grupit të PS-së. Kur flitet në Parlament të çohet në këmbë, nuk është në konakun e vet në Bërzeshtë të Librazhdit.” – u shpreh Kapri.
Replika erdhi menjëherë nga Balla, që e kaloi situatën me ironi:
“Po e kursej, se e kemi dhëndër…”
Kjo frazë shkaktoi reagime nga radhët e opozitës, ku Klevis Balliu ndërhyri:
“Çfarë janë këto turpe?!”
Kapri iu kthye sërish Ballës:
“Të të vijë rëndë.”
Balla e imitoi:
“Të të vijë rëndë…” – duke shtuar me ironi:
“Kemi bërë krushqi, e kemi dhëndër nga krahina e Korçë-Pogradecit.”
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërhyri për të ulur tonet:
“Nëse fjala ‘dhëndër’ konsiderohet fyerje, është luks për Parlamentin. Për mua është kompliment.”
Debati vijoi me të qeshura dhe ironi, duke sjellë edhe një herë tensionin e brendshëm të seancave parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës.
