Berisha godet nga foltorja: “Mesazhet në telefonin e Berberit fundosën Ballukun – oferta e Llogarasë u rrit nga 140 në 190 milionë euro pas udhëtimit në Ankara”

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shfaq sot me akuza të ashpra ndaj mazhorancës gjatë fjalës në Kuvend, duke e cilësuar situatën aktuale si “ditën më të zezë të akteve antidemokratike” dhe duke akuzuar kryeministrin dhe zv/kryeministren Belinda Balluku se po shmangen nga llogaridhënia publike dhe po ushtrojnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese.

Berisha e quajti Kuvendin “Parlament fals”, duke e krahasuar me praktikat e kohës së Enver Hoxhës.

“Ky është Parlamenti i një njeriu që ka marrë çdo pushtet. Një njeri që bllokon vendimet e gjykatave për vjedhjet monstruoze. Një njeri që ushtron presion të tmerrshëm mbi Gjykatën Kushtetuese. Ka vendosur të fshehë çdo shpenzim, si Enver Hoxha dikur,” deklaroi ai.

“Balluku është kapur nga provat në telefonat e Berberit”

Berisha theksoi se zv/kryeministrja Belinda Balluku është “e mbërthyer në skemën korruptive” për shkak të provave të gjetura në celularët e ish-drejtorit të koncesioneve, Ervis Berberi – tashmë nën hetim nga SPAK.

Sipas tij, këto prova – mesazhe, foto dhe dokumente – ekspozojnë jo vetëm Ballukun, por edhe kryeministrin Edi Rama.

Nga 140 në 190 milionë euro – ndryshimi i dyshimtë për tunelin e Llogarasë

Berisha deklaroi se telefoni i Berberit ka zbuluar gjithashtu se ofertat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë kanë pësuar një rritje të paarsyetuar financiare:

“Oferta 140 milionë euro u zëvendësua me 190 milionë euro nga kompania turke, pas udhëtimit të Ramës në Ankara me atë që quhet Lubi Balluku,” u shpreh ai.

Berisha sugjeroi se rritja e vlerës së tenderit është rezultat i një ndërhyrjeje politike të niveleve më të larta.

“90% e fondeve të ndërtimit vidhen”

Duke iu referuar një raporti të Bankës Botërore, Berisha shtoi:

“Vërtetohet nga Banka Botërore se 90% e të gjitha fondeve të ndërtimeve vidhen. Ky është sistemi që keni ngritur.”

Në përfundim, ai akuzoi mazhorancën për tentativë të hapur manipulimi të drejtësisë dhe bllokim të transparencës publike, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të shmangur llogaridhënien “do të ekspozohet deri në fund”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related