“Bordi drejtues i Volkswagen (VW) planifikon të mbyllë të paktën tre fabrika në Gjermani”, tha presidentja e këshillit të punës të koncernit, Daniela Cavallo, në një takim informues me punonjësit në Wolfsburg. Ajo shtoi se të gjitha fabrikat e mbetura do të duhet të zvogëlojnë kapacitetet e tyre. Tashmë menaxhmenti i koncernit ka njoftuar përfaqësuesit e punonjësve për këto plane, shkruan Deutsche Welle. Sipas këshillit të punës, fabrika në Osnabrück, e cila sapo ka humbur një kontratë të re të pritshme me Porsche, është veçanërisht në rrezik. Cavallo shtoi se administrata po planifikon pushime masive nga puna – sipas vlerësimeve të këshillit të punës, dhjetëra mijëra vende pune janë në rrezik.
Sektorë të tërë mund të mbyllen ose të zhvendosen jashtë vendit. “Të gjitha fabrikat e Volkswagen në Gjermani preken nga këto plane. Asnjë nuk është e sigurt,” tha Cavallo, pa dhënë detaje. Volkswagen punëson rreth 120,000 punëtorë në Gjermani, gjysma e të cilëve janë në Wolfsburg. VW ka gjithsej dhjetë fabrika në Gjermani, nga të cilat gjashtë janë në Saksoninë e Ulët, tre në Saksoni dhe një në Hessen. Në shtator, VW ndërpreu marrëveshjen e sigurisë së punës, e cila kishte më shumë se 30 vjet. Kështu, duke filluar nga mesi i vitit 2025, është e mundur të pushohen nga puna për të ashtuquajturat “arsye biznesi”. Menaxhmenti i Volkswagen dhe sindikata e metalpunuesve (IG Metall) do të takohen të mërkurën për raundin e dytë të negociatave për marrëveshjen kolektive. Tashmë në raundin e parë të shtatorit, VW hodhi poshtë kërkesat e IG Metall për rritje të pagave shtatë për qind, duke këmbëngulur për kursime, por nuk dha informacion të saktë për këtë, shkruan Deutsche Welle.
