Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, ka paralajmëruar se SPAK-u po verifikon një tjetër rast që lidhet me pasuri të konsiderueshme të shqiptarëve të përfshirë në veprimtari kriminale jashtë vendit.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Braho tha se vitin e kaluar janë pezulluar gjithsej 41 çështje, përfshirë edhe procedime që lidhen me krimin e organizuar.
Sipas tij, bëhet fjalë kryesisht për dosje të vjetra, të cilat mund të rihapen nëse sigurohen prova të reja.
“Numri total i pezullimeve për vitin 2025 është 41. Kur vijnë prova të reja, prokurorët i rifillojnë hetimet. Këto janë çështje të vjetra dhe duhen dalluar nga dosjet që dërgohen për gjykim”, deklaroi Braho.
Kreu i SPAK-ut foli gjithashtu për pasuritë e vendosura jashtë Shqipërisë nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale. Ai tha se është vënë re një prirje për shpërndarjen e pasurive në forma dhe vende të ndryshme, përfshirë edhe kriptovalutat.
“Rasti i kriptovalutave është një prej tyre. Në dijeninë time ka edhe një rast tjetër me pasuri të konsiderueshme, por nuk mund të jap sot detaje”, u shpreh Braho.
Ai nuk bëri të ditur emra apo të dhëna të tjera për çështjen, duke argumentuar se hetimet janë ende në vijim.
