Gjatë ditëve të fushatës elektorale, shumë media transmetuan pambarimisht një spot elektoral për kandidatin socialist të Sarandës, Vasil Llajo. Në këtë spot, zoti Llajo përshkruhej si bir i Sarandës, që kishte ardhur me mision në politikë për të ndihmuar njerëzit. Paralelisht me spotet ai u shfaq shpesh në shumë emisione prime time.
Cdo kandidat është në të drejtën e tij të bëjë fushatë. Por problemi është se PR i zotit Llajo financohet edhe me paratë e buxhetit, për pacientët që dergjen në spitalet publike të vendit.
Një ditë pasi ishin numëruar votat dhe Vasil Llajo ishte shpallur fitues nga lista e hapur në qarkun e Fierit, në llogarinë e kompanisë së tij, Layo, mbërritën 154 mijë euro. Dërguesi i parave ishte buxheti i shtetit, përmes Spitalit Universitar të Traumës.
