Revista e njohur gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një artikull protestave në Shqipëri kundër projektit turistik në Sazan dhe Zvërnec, si dhe mbështetjes së shprehur nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Sipas medias gjermane, Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, synon të ndërtojë një resort luksoz në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore. Në projekt është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.
Der Spiegel shkruan se protestat nisën në fund të muajit maj, pasi në një plazh brenda zonës së mbrojtur të Zvërnecit u shfaqën rrethime me tela me gjemba dhe mjete të rënda ndërtimi.
Lëvizja qytetare u zgjerua më pas edhe me kërkesa politike. Sipas artikullit, protestuesit denoncojnë korrupsionin, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përdorin moton “Shqipëria nuk është në shitje”.
Për zhvillimet reagoi edhe Dua Lipa gjatë një bisede me shkrimtaren dhe akademiken Lea Ypi në podcastin Service95 Book Club.
“Është frymëzuese të shohësh se sa shumë u intereson njerëzve kjo çështje”, u shpreh këngëtarja.
Ajo deklaroi gjithashtu se ekonomia e Shqipërisë duhet të zhvillohet në një mënyrë që u shërben qytetarëve, ndërsa e cilësoi shqetësuese situatën e krijuar rreth zonave të mbrojtura.
Revista gjermane ndalet edhe te projekti për transformimin e ishullit të Sazanit, dikur bazë ushtarake gjatë regjimit komunist, në një destinacion turistik luksoz.
Në artikull theksohet se Laguna e Vjosë-Nartës është një zonë e rëndësishme për biodiversitetin dhe shërben si vendqëndrim për shpendët shtegtarë, përfshirë flamingot.
