Partia e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, ALDE, ka shprehur mbështetje për protestat që vijojnë prej më shumë se 45 ditësh në Tiranë, ndërsa ka kritikuar qeverinë shqiptare për financimin publik të koncertit të Kanye West.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ALDE iu referua edhe kundërshtimeve ndaj projektit të investimit në ishullin e Sazanit, duke deklaruar se “Shqipëria nuk është në shitje”.
“Mijëra shqiptarë kanë protestuar prej javësh në rrugë kundër korrupsionit dhe projektit të diskutueshëm në ishull”, thuhet në deklaratë.
Forca politike panevropiane kritikoi gjithashtu shpenzimin e rreth 4 milionë eurove nga fondet publike për koncertin e reperit amerikan, duke përmendur edhe polemikat që kanë shoqëruar deklaratat e tij të mëparshme.
“Liberalët qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Ata meritojnë një qeveri që u shërben qytetarëve të saj dhe jo interesave të fuqishme”, theksohet në reagim.
ALDE është një parti politike panevropiane që bashkon forca liberale dhe demokratike nga vende të ndryshme të kontinentit dhe përfaqëson familjen politike liberale në institucionet europiane.
