Pas më shumë se 30 vitesh mungesë, semaforët po rikthehen në Vlorë, në kuadër të një projekti që synon përmirësimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e trafikut në qytet.
Sipas projektit, do të vendosen rreth 40 struktura semaforike në disa nga kryqëzimet dhe segmentet më të rëndësishme rrugore të qytetit, ndërsa ndërhyrja do të përfshijë gjithsej 9 segmente rrugore.
Punimet kanë nisur fillimisht në aksin Transballkanike, një nga zonat me qarkullimin më të dendur dhe problematik në qytet.
Firma Rafin, e cila ka fituar realizimin e investimit, ka nisur punën për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për instalimin e semaforëve.
Përveç aksit “Transballkanike”, semaforë të rinj do të vendosen edhe në rrugën Ali Demi dhe në segmentet që lidhin bulevardin me rrugët “Kosova”, “Gjergj Arianiti” dhe “Gjergj Kastrioti”.
Sipas autoriteteve, projekti pritet të përfundojë brenda 30 ditëve dhe synon të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, të reduktojë trafikun dhe të rrisë sigurinë për këmbësorët.
Rikthimi i semaforëve konsiderohet një ndërhyrje e rëndësishme për qytetin bregdetar, i cili gjatë sezonit turistik përballet me fluks të lartë automjetesh dhe rritje të ndjeshme të trafikut urban.
