Klodiana Lala zbardh dëshminë e babait të Ervis Martinaj: Dyshohet se pesë grupe kriminale janë përfshirë në zhdukjen e tij

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga dëshmia e Mustafa Martinajt, babait të Ervis Martinaj, gjatë procesit gjyqësor që lidhet me sekuestrimin e pasurive të familjes Martinaj.

Sipas Lalës, Mustafa Martinaj është përpjekur të bindë gjykatën se pasuritë e sekuestruara burojnë nga aktivitete të ligjshme ekonomike, duke deklaruar se ka punuar fillimisht si zyrtar dhe më pas si biznesmen në fushën e këmbimit valutor.

Megjithatë, gjatë dëshmisë ai ka folur edhe për fatin e të birit, duke deklaruar se beson se Ervis Martinaj nuk jeton më.

“Ai tha se i vjen turp që pyetet për rrecka dhe beton, ndërsa askush nuk e pyet për zhdukjen dhe vdekjen e djalit të tij”, tregoi gazetarja.

Sipas Lalës, familja Martinaj pretendon se pas zhdukjes së Ervisit janë kryer 23 kontrolle nga policia, pasi autoritetet dyshonin se ai mund të ishte ende gjallë.

Gazetarja ngriti kritika ndaj institucioneve ligjzbatuese, duke deklaruar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të Martinajt dhe për hetimin e vrasjes së Brilant Martinaj.

Ajo përmendi edhe emrin e Jeton Lami, duke e cilësuar si një person kyç në këtë histori.

“Jeton Lami ka qenë në familjen Martinaj dhe nëse do të kishte folur që në fillim, ndoshta fati i Ervis Martinajt do të ishte zbardhur”, deklaroi Lala.

Sipas saj, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, e ka takuar Jeton Lamin jo vetëm në zyrë, por edhe në ambientet e paraburgimit.

Lala shtoi se çështja duhet të merret nga SPAK, pasi sipas saj Prokuroria e Lezhës nuk ka kapacitetet e nevojshme për të hetuar një dosje kaq komplekse.

“Mendohet se janë pesë grupe kriminale që kanë marrë pjesë në zhdukjen e tij”, u shpreh gazetarja.

Ajo shtoi gjithashtu se familjarët pretendojnë që pak minuta para ndërprerjes së komunikimit, Ervis Martinaj kishte dërguar një mesazh ku thoshte se po kthehej në banesë.

Sipas Lalës, aktualisht ekziston një paqartësi institucionale mbi statusin e Martinajt: për SPAK ai rezulton i pandehur, ndërsa për Prokurorinë e Lezhës konsiderohet person i zhdukur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related