Komisioni Evropian ka shprehur mbështetjen e tij për popullin iranian dhe ka deklaruar se është gati të vendosë sanksione të reja dhe më të rrepta ndaj autoriteteve iraniane, pas shtypjes së dhunshme të protestave, ku raportohet se rreth 500 protestues janë vrarë.
Sekretarja e shtypit e Komisionit Evropian, Paola Pinault, e cilësoi situatën “absolutisht të papranueshme”, duke theksuar se arrestimi dhe vrasja e qytetarëve që demonstrojnë paqësisht për lirinë e tyre përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Ajo shprehu solidaritet të veçantë me gratë iraniane që po protestojnë për liritë dhe të drejtat e tyre.
Sipas Komisionit Evropian, është kërkuar lirimi i menjëhershëm i të gjithë protestuesve të burgosur, si dhe rivendosja e aksesit të plotë në internet. Autoritetet evropiane theksojnë se do të vijojnë presionin diplomatik dhe masat ndëshkuese ndaj regjimit iranian, nëse dhuna dhe represioni vazhdojnë.
Sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut, përveç qindra protestuesve të vrarë, janë raportuar edhe dhjetëra viktima nga forcat e sigurisë, ndërsa burime ndërkombëtare paralajmërojnë se numri real i të vrarëve mund të jetë edhe më i lartë.
