Përplasja Rama–SPAK nisi me Veliajn, gazetari paralajmëron vijim të konfliktit edhe në 2026

Data

Ngjarjet politike dhe juridike të vitit 2025 vijojnë të komentohen si pika kthese në raportin mes pushtetit politik dhe drejtësisë. Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, shihet nga analistët si momenti që ndezi përplasjen e hapur mes kryeministrit Edi Rama dhe strukturave të drejtësisë.

Sipas gazetarit Gëzim Saliu, ky arrestim ishte “molla e parë e sherrit”, pasi për herë të parë u vu në provë realisht marrëdhënia e mazhorancës me institucionet e drejtësisë që ajo vetë kishte mbështetur publikisht. Reagimi i kryeministrit pas arrestimit, me deklarata për “burg pa gjyq”, shënoi fillimin e një konflikti të hapur dhe të pazakontë mes ekzekutivit dhe sistemit gjyqësor.

Saliu thekson se drejtësia ka qenë ajo që ka vendosur kufijtë realë të pushtetit politik gjatë këtij viti, duke goditur figura të rëndësishme të mazhorancës. Megjithatë, ai nënvizon se sistemi i drejtësisë ka qenë vazhdimisht nën presion dhe sulme nga të gjitha krahët politikë.

Duke u ndalur te opozita, gazetari kritikon qëndrimin e saj ndaj drejtësisë, duke theksuar se ajo duhet të kishte mbështetur publikisht punën e SPAK-ut, veçanërisht në momentet kur hetimet prekën figura të mazhorancës. Sipas tij, mungesa e një mbështetjeje të qartë nga opozita ka dobësuar perceptimin publik për drejtësinë dhe ka favorizuar mazhorancën në planin politik.

Në analizën e tij, Saliu paralajmëron se përplasja mes politikës dhe drejtësisë nuk do të ndalet me mbylljen e vitit 2025. Përkundrazi, ai vlerëson se ky konflikt do të vijojë edhe gjatë vitit 2026, me pasoja të rëndësishme për klimën politike, besimin publik dhe balancën mes pushteteve në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related