Ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për Turizmin”, të depozituara në Kuvend nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, parashikojnë mundësinë që Këshilli i Ministrave të pezullojë përkohësisht punimet e ndërtimit në zonat turistike gjatë sezonit.
Sipas projektligjit, pezullimi do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohen zonat ku do të zbatohet masa, llojet e punimeve që ndalohen, si dhe periudha ose oraret e kufizimeve. Koha e pezullimit do t’i shtohet afatit të vlefshmërisë së lejes së ndërtimit, përfshirë edhe lejet e lëshuara para hyrjes në fuqi të ligjit. Shkelja e këtyre kufizimeve parashikohet të ndëshkohet me gjoba deri në 2 milionë lekë.
Projektligji parashikon gjithashtu që, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, Këshilli i Ministrave të ketë të drejtë të ndryshojë institucionin përgjegjës për administrimin e zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, në rastet e projekteve ose investimeve me interes publik apo rëndësi kombëtare.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me ndërtimin e strukturave akomoduese. Sipas draftit, subjektet që synojnë të ndërtojnë hotele ose struktura të tjera turistike do të duhet të pajisen paraprakisht me një certifikatë kategorizimi, pa të cilën nuk do të mund të miratohet leja e ndërtimit.
Projektligji parashikon gjithashtu që kriteret e kategorizimit të strukturave akomoduese, përfshirë klasifikimin me yje, të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe jo drejtpërdrejt në ligj. Po ashtu, strukturat akomoduese do të kenë detyrimin të regjistrojnë elektronikisht të dhënat e klientëve, ndërsa subjektet që administrojnë stacione plazhi do të duhet të garantojnë akses të lirë dhe të pandërprerë të publikut drejt vijës bregdetare, pa vendosjen e gardheve apo pengesave fizike.
Projektligji ndodhet në procedurë shqyrtimi në Kuvend dhe ndryshimet e propozuara do t’i nënshtrohen debatit dhe votimit parlamentar përpara hyrjes në fuqi.
