Kanë nisur punimet për ndërtimin e Institucionit të ri të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Kukës, një investim me vlerë 6.4 milionë euro që synon modernizimin e sistemit penitenciar në vend.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm në vazhdimin e reformës në drejtësi.
Sipas ministrit, institucioni i ri do të ndërtohet në territorin e ish-batalioneve ushtarake dhe do të ketë kapacitet për 150 persona të privuar nga liria. Ai shtoi se objekti do të lehtësojë gjithashtu akomodimin e rreth 40 shtetasve të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri.
Projekti parashikon krijimin e rreth 140 vendeve të reja të punës për komunitetin lokal, si dhe ndërtimin e një infrastrukture moderne që do të përfshijë ambiente për rehabilitim, arsimim dhe formim profesional, shërbime shëndetësore dhe hapësira për vizitat familjare.
Gjatë fjalës së tij, Gogu theksoi se reforma në drejtësi nuk përfundon me vendimet e gjykatave, por shtrihet edhe në mënyrën se si shteti administron ekzekutimin e dënimeve.
“Reforma në drejtësi nuk përfundon te gjykata. Ajo vazhdon edhe në mënyrën se si shteti administron vuajtjen e dënimit”, u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se sistemi penitenciar duhet të garantojë njëkohësisht sigurinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke e konsideruar këtë një nga objektivat kryesore të reformës.
Sipas projektit, institucioni i ri do të ndërtohet sipas standardeve bashkëkohore të efiçiencës energjetike dhe synon të krijojë kushte më të mira për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria.
