Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, njëherësh drejtuesja politike e PS-së për qarkun e Gjirokastër, Mirela Kumbaro, reagoi ndaj pretendimeve të publikuara në rrjetet sociale se ujërat termale të Bënja janë tharë, duke i cilësuar ato si spekulime.
Në një postim publik, Kumbaro publikoi fotografi që, sipas saj, janë realizuar gjatë ditës së sotme dhe theksoi se investimi në zonë ndodhet ende në fazën e testimeve teknike.
“Fotot e mëposhtme nga Ujërat termale të Bënjës janë të sotmet dhe kush do të shohë me sytë e logjikës dhe jo me lentet e spekulimit, e ka shumë të lehtë të bëjë dallimin mes transformimit që ka pësuar Bënja sot dhe kaosit të deridjeshëm”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, nuk është deklaruar asnjëherë se punimet kanë përfunduar, pasi aktualisht po kryhen testimet e prurjeve të ujit dhe të nivelit të vaskave, ndërsa boshatisja e përkohshme e tyre është pjesë normale e këtij procesi.
Kumbaro bëri të ditur se vaskat po rimbushen në mënyrë të kontrolluar nga ekipet teknike dhe se ndërhyrjet janë realizuar në përputhje me karakteristikat natyrore të zonës.
Ajo theksoi se rikualifikimi i zonës është realizuar përmes një projekti të Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili përfshin ndërtimin e rrugëve të reja të aksesit, hapësirave të shërbimit, zonave rekreative dhe infrastrukturës për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe turistike.
Ministrja shtoi se gjatë fundjavës zona e Bënjës do të mirëpresë aktivitete kulturore dhe artistike, ndërsa ftoi qytetarët të vizitojnë Përmetin dhe të shohin nga afër investimin.
Në reagimin e saj, Kumbaro kritikoi komentet që, sipas saj, synojnë të dëmtojnë imazhin e një prej destinacioneve turistike më të njohura të vendit, duke theksuar se puna në kantier vijon dhe se testimet janë pjesë e procesit të përfundimit të projektit.
